Apolonia konsolidohet me 2-3 përforcime

Stafi teknik është i kënaqur me përgatitjet, por kërkon patjetër disa lojtarë cilësorë

Me dy seanca stërvitore në ditë, Apolonia vazhdon fazën e saj përgatitore në Pogradec. Paradite është përgatitësi atletik, Gjergj Poloska, i cili punon në aspektin fizik e atletik, ndërsa pasdite lojtarët i nënshtrohen përgatitjes teknike dhe punës me topin. Stafi teknik e vlerëson punën e bërë nga futbollistët deri tani. Kontigjenti që ka qenë në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka dhe ndihmësve të tij, ka djersitur mjaft dhe e ka përballuar më së miri stërvitjen, që ka qenë e një shkalle vështirësie jo të vogël.

Këtë sezon, Apolonia është një skuadër, që e ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme përbërjen e saj. Nga fierakët janë larguar shumë lojtarë dhe vendin e tyre e kanë zenë kryesisht të rinjtë. Mjafton të përmendet fakti se nga 34 lojtarë që janë aktivizuar sezonin e kaluar me fierakët, vetëm 10 prej tyre do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës edhe për kampionatin e kategorisë së parë.

TE HUAJT Nigeriani Çarls Ofoyen, momentalisht është i vetmi i huaj në radhët e Apolonisë. Mbrojtësi 25 vjeçar do të luajë sezonin e tretë radhazi për bardhëjeshilët, ndërsa pritet që numri i të huajve në ekip të rritet në ditët e ardhshme, pasi drejtuesit fierakë po përpiqen për dy tri përforcime cilësore. Duhen lojtarë të aftë për të bërë diferencën dhe mundësitë më të mëdha shihen në tregun e huaj, ndonëse nuk përjashtohet as tregu vendës.

Duhet theksuar se kampionatin e kaluar kanë luajtur për skuadrën fierake plot 10 futbollistë të huaj: Semir dhe Sead Haxhibuliç, Edin Ferizoviç, të tre këta tashmë pjesë e Besës, Mlladen Brkiç, që ka nënshkruar për Skënderbeun, Kenan Ragipoviç, që kërkohet nga Kastrioti, Ibe Zito Ogbonna, i cili pritet të rikthyer në Fier, dhe serbët Petar Mudresa, Goran Miroviç dhe Milosh Jevdjeviç, të cilët ndodhen larg skuadrës pas vendimit të komisionit të disiplinës.

Eshtë fakt që fierakët kanë ditur të përzgjedhin lojtarë cilësorë në tregun e huaj, duke filluar nga braziliani Dos Santos, që sot luan për Besën, e deri te “kasta” serbo boshnjake që është promovuar në mënyrën më të mirë tek Apolonia dhe tashmë vazhdon të luajë në kampionatin shqiptar me skuadra të tjera.

STAFI Drejtuesit teknikë janë të kënaqur me punën që po bën skuadra në Pogradec. Kryepankina Gjoka dhe ndihmësit e tij tregohen optimistë, sidomos për lojtarët e rinj dhe nivelin që ata kanë dëshmuar gjatë tri javëve në qytetin juglindor. Më “i butë” duket tanimë edhe përgatitësi atletik, Gjergj Poloska, pasi treguesit fizikë kanë ndryshuar ndjeshëm në kahun pozitiv.

Shqetësim për stafin teknik mbeten përforcimet, pasi kjo do të krijonte mundësinë e duhur për ta konsoliduar skuadrën dhe për t’i dhënë asaj formën e duhur. Apolonia ka nevojë për disa lojtarë cilësorë, të shpërndarë në reparte të ndryshme, dhe konkretizimi i tyre mbetet punë e ditëve në vijim.



http://www.sportishqiptar.com.al/apolonia-konsolidohet-me-2-3-perforcime/

Leave a Comment

%d bloggers like this: