Amerika pa yje në botëror, por synon të artën

Trajneri i kombëtares Kryzevski beson te të rinjtë: skuadra po rritet

Më 28 gusht, në Turqi, do të nisë kampionati botëror i basketbollit për meshkuj dhe një nga skuadrat protagoniste do të jetë padyshim ajo amerikane, e cila është gati për sfidën e ardhshme. Një detyrë e vështirë për skuadrën amerikane, pasi do të luajë pa pjesëmarrjen e shumë yjeve të saj, që i dhuruan medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″. Kjo e bën skuadrën e trajnerit Majk Kryzevski sa të panjohur qa edhe interesante për sfidën e radhës. Megjithëse do të mungojnë Kobi Brajant, LeBron Xhejms, Karmelo Antoni, Kris Paul dhe Duajn Ueid, janë të shumtë të rinjtë me emër që do të mbajnë peshën e basketbollit amerikan. Ndër ta janë Çaunsei Billups dhe Lamar Odom, apo Kevin Durant, emra që do të kërkojnë të sfidojnë mbarë botën për fitimin e medaljes së artë në botëror. Në orët e fundit kanë ardhur edhe mungesat e Amare Stoudemire, David Le dhe Robin Lopez, lojtarë që kanë ulur disi shtatlartësinë e kombëtares amerikane. Por kjo gjë nuk e shqetëson trajneri Majk Kryzevski, i cili është optimist për aventurën e radhës. “Ky është një grup i ri dhe që po rritet dita-ditës. Mes lojtarëve ka shumë entuziasëm, dhe lider të grupit janë Odom e Billups, lojtarë që bëjnë diferencën. Por nuk jemi një skuadër e gjatë dhe mund të vuajmë disi nën tabelë, ndaj aty do të na sulmojnë të gjithë”, – tha Kryzevski gjatë paraqitjes që skuadra amerikane bëri dje në Festivalin Botëror të Basketbollit. Në krah të trajnerit amerikan do të mungojë Majk D’Antoni, trajneri i Nju Jorkut, për shkak të disa probleme fizike, që e ndalojnë të udhëtojë, por atë do ta asistojë Xhoi Triano, me përvojë në arenën ndërkombëtare. Një lajm i mirë erdhi nga infermieria, ku Dani Granger nuk ka pësuar asnjë frakturë në dorën e djathtë, pas stërvitjes të së martës dhe do të jetë rregullisht në fushë. Dje, të grumbulluarit e trajneri Kryzevski zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre, ku të pranishëm ishin edhe Karmelo Antoni, Kris Paul, Duajn Ueid dhe LeBron Xhejms, si tifozë.


Boks
Holifild në ring në moshën 48-vjeçare

Evandër Holifild, 48 vjeç, disa herë kampion i botës në peshat e rënda, do të zbresë sërish në ring në muajin nëntor. Ai do të duelojë me Sherman Uilliams, në “Joe Louis Arena” të Detroitit. Hera e fundit që Holifild është ngjitur në ring ka qenë prillin e shkuar, kur në Las Vegas mundi me “KO” afrikano-jugorin Frans Botha. Ndërsa Sherman vjen në këtë duel pas një humbje të pësuar në raundin e 10-të me sirianin Manuel Çar. Evandër Holifild, në karrierën e tij të gjatë, numëron një rekord prej 43 fitoresh, 10 humbjesh dhe 2 ndeshje të mbyllura në barazim.

Çiklizëm
Ulrih i stresuar: Do të zhdukem disa muaj

Sindroma e stresit ka kapur çiklistin gjerman Jan Ulrih, i cili dje ka anulluar praninë e tij në të gjitha garat për disa muaj. Ka qenë vetë çiklisti gjerman, ish-fitues i Turit të Francës më 1997-n, që ka deklaruar ndërprjerjen provizore të karrierës së tij. “Jam i sëmurë dhe kjo kërkon një periudhë të gjatë rehabilitimi. Për t’ia arritur kësaj do të zhdukem nga qarkullimi për disa muaj. Ju kërkoj të gjithëve të më kuptoni dhe të respektoni jetën time private”, – tha dje Jan Ulrih, i cili është përfshirë kohët e fundit edhe në një skandal dopingu.


Atletikë
Liga e Diamantit, tërhiqet edhe Pauell

Pas Usain Bolt edhe Asafa Pauell është tërhequr nga garat e mbetura të Ligës së Diamantit, për shkak të një problemi në shpinë. Një problem ky që ka detyruar të dy sprinterët xhamajkanë të lënë përkohësisht garat, megjithëse Pauell mund të jetë i pranishëm në garën e fundit, atë të Brukselit.

Asafa Pauell për shqetësimet që kishte në shpinë u tërhoq nga gara e Stohkolmit, ku ishin Gei dhe Bolt, por duket se dëmtimi i tij është më i rëndë. Në etapën e ardhshme të Ligës së Diamantit, në Londër, do të jetë vetëm amerikani Tajson Gei, i sigurt drejt fitores së radhës.



http://www.sportishqiptar.com.al/amerika-pa-yje-ne-boteror-por-synon-te-arten/

Leave a Comment

%d bloggers like this: