Alegri bën modestin: Superkupa? Nuk jemi favoritë

Trajneri i Milanit i ka bërë thirrje skuadrës të harrojë fitoret e arritura në sezonin e kaluar kundër rivalëve të Interit. Galiani injoron Balotelin: Nuk na intereson

 

Përgatiti: Denis Hakani

 

Dje Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit, ka mbajtur në Pekin konferencën e parë për shtyp, para ndeshjes, që do të luajë për Superkupën e Italisë me Interin.

Tekniku kuqezi nuk ndihet favorit: “Është e vërtetë se vitin e kaluar i kemi fituar të dy përballjet derbi, por janë pjesë e së shkuarës dhe asnjë ndeshje nuk mund të konsiderohet e fituar para se të luhet”.

Faktori kryesor do të jetë një i vetëm: “Do të duhet të jemi gati në aspektin psikologjik, jemi akoma duke rekuperuar energjitë pas udhëtimit”. Ndeshja do të luhet pas pak ditësh, por për Alegrin lojtarët e tij janë në gjendje të mirë: “Nuk jam shumë i shqetësuar për këtë moment të sezonit dhe për këtë ndeshje. Rëndësia e kësaj përballjeje vjen nga fakti se bëhet fjalë për një derbi”.

Një problem mund të jetë i nxehti i madh, por trajneri është i bindur se “do të bëjmë gjithçka për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Nëse takimi do të shkojë me penallti shpresojmë t’i ekzekutojmë më mirë se në Mynih”.

Më pas ka ardhur një batutë për gazetarët kinezë që kanë pyetur pse i ka  grumbulluar lojtarët amerikanojugorë: “Janë gati dhe doja që ju t’i shikonit nga afër, sepse e di se këtu janë idhuj”.

MISTER X – Nuk kanë qenë shumë të ndryshme edhe deklaratat në lidhje me “Mister X”-in nga ana e trajnerit Masimiliano Alegri, sipas të cilit është e qartë se “nëse do të vijë, përforcimi misterioz do të jetë një lojtar i rëndësishëm”.

Duke iu përgjigjur pyetjes të një gazetari kinez në lidhje me një rikthim të mundshëm të Kakasë, Alegri ka nënvizuar se braziliani “është një lojtar i madh, por është akoma një lojtar i Realit të Madridit. Ka pasur shumë mister X dhe tani i fundit është Kaká… do të shohim”.

GALIANI – Duke folur me gazetarët, administratori i deleguar i Milanit, Galiani, ka përjashtuar që lojtari i mistershëm të jetë Kaká (një operacion që e ka përkufizuar të pamundur për koston që ka), ose për Mario Balotelin (“një talent i madh, por ne jemi të mbushur me sulmues”), por mbetet mundësia e marrjes së Alberto Akuilanit.

“Ajo që është e sigurtë është se nëse do të vijë, do të luajë si mesfushor në krahun e majtë”, ka pohuar Galiani, një pozicion që me pak fantazi mund të jetë i përshtatshëm për mesfushorin e Liverpulit ose ndoshta për një lojtar, emri i të cilit nuk është përmendur akoma midis blerjeve të mundshme.

STËRVITJA – Milani është stërvitur në temperatura shumë të larta në fushën e qendrës stërvitore “Olimpik” në Pekin, dy hapa larg stadiumit “Foleja e Zogjve”, stadiumi i Lojrave Olimpike të Pekinit, ku të shtunën e ardhshme dy ekipet milaneze do të zhvillojnë derbin e shumëpritur për tifozët kinezë.

Qindra të rinj kanë mbushur stadiumin, pavarësisht të nxehtit të madh, duke duartrokitur lëvizjet e idhujve të tyre në fushën e blertë, veçanërisht ato të Alesandro Nestës dhe brazilianit Pato.

“Balbala, balbala”, kanë bërtitur disa nga tifozët aziatikë duke iu referuar Barbara Berluskonit, e fejuara e sulmuesit kuqezi.

 

Sulmuesi

Pato largon Çelsin: Do të respektoj kontratën

Lajmet, mbi të gjitha, ato që kanë lidhje me merkaton, bëjnë shumë shpejt xhiron e botës dhe kështu, nga Pekini, Alesandre Pato ka përgënjeshtruar para gazetarëve italianë zërat që vijnë nga Anglia në lidhje me një interesim të Çelsit.

“Kam një kontratë deri në 2014-ën dhe dua ta respektoj deri në fund. Çfarë do të ndodhë në vazhdim, nuk e di. Varet nga Milani”, ka qenë përgjigja e sulmuesit brazilian, që siç ka ndodhur më parë në të kaluarën ka thënë se do të respektojë kontratën me kuqezinjtë.

Gjithsesi, drejtuesit e Milanit nuk mendojnë për shitjen e lojtarit dhe përkundrazi po mendojnë për rinovimin e kontratës së tij, ku natyrisht do të përfshihet një rritje e ndjeshme e rrogës, duke parë që Pato për momentin nuk fiton aq sa Ibrahimoviç.

 

Mbrojtësi

Nesta shtyn lamtumirën: Nuk mendoj të tërhiqem

Alesandro Nesta ka qenë një nga më të brohoriturit në Kinë: “Entuziazmi i madh që është parë për ne? Jemi të vjetër dhe kemi shumë tifozë, sepse kemi shumë vite që luajmë. Unë shpresoj të luaj sa më gjatë të jetë e mundur dhe për ta larguar ditën e largimit nga futbolli.

Të ardhmen time e shikoj gjithsesi në botën e futbollit, – ka thënë mbrojtësi kuqezi, Nesta, – edhe pse nuk e di me saktësi rolin që do të mbuloj. Vitin e kaluar mbrojtja e Milanit ka bërë një paraqitje të mirë, mbi të gjitha në fazën e dytë të kampionatit. Tani kanë ardhur edhe Mekses dhe Taivo dhe kemi në ekip mbrojtësin më të fortë në botë, Tiago Silvën. Kështu që besoj se në mbrojtje nuk do të kemi probleme në sezonin e ardhshëm”.

 

 

110 rritja e përqindjes së kontakteve në versionin kinez në sitin ëeb zyrtar të kuqezinjve “Acmilan.com”, i regjistruar nga janari në mars 2011 (+110.72% në krahasim me 56.6% i regjistruar nga siti ëeb zyrtar i Barcelonës)

 

31 përqind është e rritja e shkallës së vlerësimit nga Milani mes kinezëve në sondazhin e bërë në maj në ëeb nga siti “ëeibo.comsuvey” në kuadër të popullaritetit të klubeve europiane në Kinë (7% më shumë se Barcelona, 16 më shumë se Mançester Junajtid, 17 më shumë se Arsenali dhe 21 më shumë se Real Madridi)

 

37 kuota e përqindjes së regjistruar në Kinë nga biznesi total i klubeve “Adidas” (16% më shumë se klubi i dytë në renditje)

 

18 e dhëna e përqindjes së shitjeve të “Adidas”-it në Kinë të global biznes të Milanit në Botë

 

Sondazhi. Kuqezinjtë pëlqehen më shumë se Barcelona

Milani, klubi më popullor në Kinë

Një vend shumë i rëndësishëm, për ekonominë botërore dhe për strategjitë e klubeve të futbollit.

Kina është një vend i dashuruar me futbollin që ndjek më shumë ndeshjet që zhvillohen në kampionatet e huaja se sa ato në shtëpi dhe, mrekullia e mrekullive, për një herë që një skuadër italiane duket se ka krijuar më shumë interes se gjigandët e Premier Ligës: sipas një sondazhi të bërë tre muaj më parë, Milani është klubi më popullor në Kinë.

Kuqezinjtë kanë arritur të mposhtin me shtatë pikë diferencë Barcelonën (31 me 24 përqind). Janë lënë mbrapa edhe gjigandët e tjerë të futbollit ndërkombëtar si Mançester Junajtid (15 përqind) dhe Arsenali (14), akoma më poshtë Reali i Madridit (10). Një fakt i veçantë, por i kuptueshëm: në pjesën tjetër të Lindjes klubet angleze janë në avantazh.

Në Kinë, nuk ka avantazhe për sa i takon gjuhës për asnjeri ose pothuajse: të gjithë janë të barabartë dhe këtu mund të provohet të cënohet fuqia e Junajtid, Barçës dhe Realit.

 

Klima e Pekinit ka shumë smog dhe lagështi

Temperaturat e larta rrezikojnë derbin e Milanos

Më shumë lagështi, nxehtësi dhe smog: “kokteili” kryeqytetas që të pret gjunjët është gati. Një përzierje “vrastare” për çdo atlet në çdo moment të vitit dhe jo më për 49 lojtarë që sapo janë kthyer nga pushimet dhe janë bashkuar në skuadrat respektive.

Ajri i Pekinit është një rrezik: mund të çojë dëm derbin, dhe bashkë me të trofeun e parë të sezonit. Jo vetëm: një javë stërvitje në këto kushte klimaterike mund të ndikojë negativisht te gjithë përgatitja verore e një ekipi, me pasojat që mund të shikohen gjatë sezonit. Atëherë gjithçka do të varet nga përgatitja e këtyre ditëve.

“Do të fitojë ekipi që do të ketë përgatitësin më të mirë atletik”, ka thënë Sedorf. Një derbi brenda derbit. Një fakt që nuk i entuziazmon shumë përgatitësit atletikë të të dy skuadrave. “Është një situatë e vështirë, – ka thënë Daniele Tonjaçini, përgjegjësi atletik i Milanit, – sepse është më e lehtë të bësh gabime”. Temperatura rreth 30 gradëve dhe një nivel lagështie që mund të arrijë deri në 90%.

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: