Alarmi i Galianit: Futbolli italian, nga restorant luksoz në një piceri!

Provokimi i drejtuesit të klubit, me më shumë tituj në Itali: Jemi të pestët në Europë. Do të na kalojnë edhe francezët. Problemi i parë është ai i stadiumeve

 

Përgatiti: Erion ABULE

 

Të pasur janë të tjerët. “Tashmë jemi kthyer në jofavoritë”. Të pasur ishin italianët, tani janë spanjollët, anglezët, gjermanët. “Dhe ju bëj një parashikim: pas pak, falë stadiumeve të rinj të “Euro 2016”, edhe francezët do të na parakalojnë. Do të bëhemi të pestët në Europë”.

Adriano Galiani nuk është i shqetësuar për të ardhmen e futbollit italian. Dhe specifikon, “i dorëzuar, që është një gjë tjetër. Në fund nuk mund të ankohemi, Milani ishte kampion i Italisë në 2007-ën dhe Interi në 2010-ën. Por unë i referohem të ardhmes së afërt”. Një e ardhme e afërt që administratori i deleguar i Milanit e shikon me ngjyra vjeshte.

Sot do të takoheni në një darkë me Florentino Perezin, që është në Kinë për një miqësorëe të Realit të Madridit. Nuk do të diskutohet për Kakànë.

Diçka e pamundur, nuk e di si mund ta përsëris më. Rroga e Kakàsë në Itali do të reduktohej për shkak të taksave të ndryshme.

U fol edhe për Balotelin, që nuk ndihet mirë në Mançester.

Është një lojtar i talentuar, por u largua nga Italia prej një viti dhe nuk duam ta shqetësojmë Sitin. Pastaj jemi plot me sulmues. Një lëvizje e tillë nuk është e parashikuar.

Qarkullojnë emra lojtarësh nga Fabregas te Akuilani? Ëndrra apo realitet?

As ëndrra e as realitet. Milani është super i fortë edhe kështu. Nëse do të vijë një “Mister X”, do të ndodhë në ditët e fundit të merkatos dhe nuk do të jetë njëri që kushton 40-50 milionë.

Tashmë të gjithë thonë: Italia kampionat i varfër, po ikin dhe lojtarët.

Asnjë largim: klubet e tjera paguajnë dhe mirë madje. Them vetëm që mund të jemi konkurrues me fatura dhe situate të barabarta, por për fat të keq nuk është kështu. Spanja ka epërsinë që nuk e njeh pagesën për të drejtat televizive, Gjermania na ka kaluar falë stadiumeve shumë të bukur që ka ndërtuar për Botërorin. E keni parasysh “Allianz Arenën”. Është njëlloj si teatrot dhe restorantet: ka teatro të bukur dhe të shëmtuar, restorante luksozë dhe piceri.

Piceria Italia ka humbur vende në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës, gjë jo shumë e mirë.

Por unë nuk e shoh të drejtë që të ketë një renditje të vetme dhe i dërgova një letër 4 apo 5 muaj më parë Platinisë që më premtoi se do ta ekzaminonte çështjen me UEFA-n. Një renditje e vetme për Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës është një anomali në nivel botëror, sepse nëse nuk merr rezultate në Ligën e Europës, vendet janë gjithnjë tre, por nëse renditja përkeqësohet, reduktohen vendet e Championsit. Më duket e padrejtë.

Çfarë mund të bëhet për t’u kthyer dhe konkurruar me të pasurit?

Asgjë. Pa stadiume nuk mund të bëhet asgjë dhe pa një ligj të ri nuk mund të ndërtohen stadiume në Itali. E kanë kuptuar edhe politikanët, por implementimi i ligjit ka mbetur i bllokuar mes dy dhomave të parlamentit.

Kina është një fuqi e re ekonomike. Ekspansioni komercial a mund të ndihmojë të ulet distanca me të pasurit për momentin?

Për ekspansionin komercial mendojnë të gjithë, ne si Real Madridi si çdo klub tjetër i madh. Ndryshimin e bëjnë aktorët dhe stadiumet, siç e thashë janë pengesa kryesore.

Por prodhimi i futbollit italian duket më zbavitës se La Liga, ku vrapojnë vetëm dy “kuaj”.

Por nëse flasim për Europën, diskutimi ndryshon: pa të ardhura të njëjta nuk mund të konkurrosh. Pastaj ka klube që mund të shpenzojnë shifra jo të botës oksidentale.

E keni fjalën për Mançester Sitin e sheikëve arabë?

Nuk flas për arabët, sepse nuk është një çështje popujsh. Ka kapitale të freskëta si ato të PSG-së dhe në fillim të Sitit, që ndryshojnë ekuilibrat.

Nuk dëshironi atëherë që të sillni para të freskëta edhe te Milani?

Mendojmë që Milani nuk është në shitje, nuk më rezulton që kanë ardhur oferta as për Milanin e as për klube të tjera italiane.

Dhe nëse vazhdon kështu, tifozët italianë Championsin vetëm mund ta ëndërrojnë…

Jemi bërë jofavoritë, por surpriza ekziston gjithnjë. Ishte me Shalken vjet mes klubeve më të pasur. Dhe unë shpresoj që surpriza e ardhshme të jetë Milani.

 

 

Krahasimi

Të ardhurat në Europë. Italia në vendnumëro

Në 2000-in Seria A përfitonte të ardhura më pak se Premier Liga Angleze, dhjetë vjet më pas përfiton thuajse një miliard më pak. Shifrat e “Report Calcio 2011” konfirmojnë distancën e futbollit italian nga ai anglez dhe ai gjerman

 

 

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: