Agim Canaj: Vinin nga një tension për shkak të kushteve financiare dhe gjobës së vënë nga presidenti

Kishin fituar tri ndeshje në fund, por kuqebluve u kthehet kundër, ndërsa Shkumbini çlirohet i gjithi

Shkumbini – Vllaznia 1-0
Shënues: Grboviç 88′


Shkumbini:
Kotorri, Pashja, Mujdragiç, Grizha, Arapi, Shenaj (Gjondeda 29′), Hodo, Kuli, Veliaj, Nora (Dervishi 57′), Mustafaj (Grboviç 73′). Trajner: A.Canaj.
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Jasiç, Hasani, Kuke, Kaci, Vajushi (Belisha 76′), Nallbani, Gocaj, Danaj, Sinani.
Trajner: M.Radonjiç.
Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, R.Avdo (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Hodo, Dervishi, Nallbani, Vujadinoviç

Komenti
Një fitore në minutat e fundit të ndeshjes, por me shumë vlera për ekipin peqinas. Një fitore, që edhe pse me një gol, vlen sa të ishin shënuar 10 të tillë, pasi jo vetëm kanë marrë tri pikë ndaj një rivali si Vllaznia, por Shkumbini ka fituar dy ndeshje radhazi, është ngjitur ndjeshëm në klasifikim në dy javët e fundit, janë shlyer gjobat, madje ka pasur edhe shpërblim. Por ajo që është më e rëndësishmja, Shkumbini u rikthehet pretendimeve dhe objektivave, tashmë me një moral dhe një gjendje psikologjike krejt tjetër.

Ndeshja ndaj Vllaznisë ka qenë pa dyshim një sfidë tepër e vështirë për ekipin bardhekaltër, për vetë kundërshtarin që ishte përballë. Përveç presionit që vuajnë lojtarët nga trysnia e tifozërisë vendase, që kërkojnë gjithnjë fitore në ndeshjet në shtëpi, në kurriz të lojtarëve vuante edhe aspekti financiar. Pas ndeshjes ndaj Teutës në javën e gjashtë për të gjithë ekipin ishte në fuqi sanksioni financiar për pagën e muajit dhe premiot e dy takimeve në shtëpi. Kjo ka bërë që për lojtarët kërkesa e llogarisë të ishte më e lartë.

Por edhe te Vllaznia ka pasur jo pak presion, madje edhe në stol. Nëse Vllaznia kishte fituar tri ndeshje në minutat e fundit, ndaj Bylisit, ndaj Laçi dhe Besës, kësaj radhe fundi ka qenë fatal dhe fati ka qenë kundër saj, kur duhet thënë që ka goditur edhe shtyllën në pjesën e parë. Loja vërtet ka qenë më e mirë për vendasit, por nga nxitimi për të shënuar patjetër janë humbur shumë raste. Ndërsa shkodranët nuk kanë qenë efikasë në ato pak kundërsulme që kanë pasur, pasi shansi u është dhënë, madje të vetëm para portierit Kotorri.

Minuta e 39-të ka qenë një rast ku peqinasit mund të kishin marrë një 11-metërsh. Mustafaj kalon qendrën e mbrojtjes mike, por në momentin e fundit, teksa do të godiste në zonë pengohet, mirëpo për gjyqtarin ka patur vetëm vazhdim të lojës. Pjesa e dytë ka qenë një dialog i vazhdueshëm i sulmit vendas dhe mbrojtjes mike, por këta të fundit janë mbrojtur me shumë kujdes deri në minutën e parafundit të ndeshjes. I futur në pjesën e dytë, Grboviç ka pasur dy raste të pastra për të shënuar, por e ka gjetur shënjestrën një minutë më pas, teksa i vetëm përballë portierit mik shënon golin më me vlerë ndoshta që kur ka ardhur në Peqin.

I gjithë stadiumi është ngritur peshë dhe kanë festuar golin e ndeshjes dhe tri pikët shumë të mirëpritura. Peqinasit kanë marrë gjashtë pikë në dy ndeshje, duke kaluar edhe pikët e mbledhura në gjashtë ndeshjet e para, duke iu afruar edhe më shumë zonës e ekipeve që ndodhen lart në klasifikim. Tashmë pas shpërblimit të marrë në fitoren e këtyre dy takimeve, peqinasit duhet të përgatiten për ndeshjen e radhës në transfertën e derbit të parë të këtij sezoni, kundër Elbasanit.

Ndërsa Vllaznia do të presë Flamurtarin, një tjetër ndeshje jo e lehtë për shkodranët, kur kujtojmë që vlonjatët kanë marrë pikë në Shkodër kur kanë qenë më dobët, jo më këtë vit që janë pretendentë. Në kampin shkodran duhen parë gjithashtu ngjarjet në lidhje me trajnerin, mbi të cilin ka jo pak presion për të dhënë dorëheqjen, por deri tani asnjë reagim nga ai vetë, apo nga presidenti Fushaj për ta shkarkuar.

Deklarojnë…
Agim Canaj, trajner i Shkumbinit: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse vinin nga një tension për shkak të kushteve financiare dhe gjobës së vënë nga presidenti. Morëm 3 pikë të merituara, por mund të themi që ishim edhe me fat, duke parë lojën e zhvilluar. Ishte një ndeshje ku kemi humbur shumë raste dhe nga kjo mund të ishim ndëshkuar nga kundërshtari. Djemtë duhen përgëzuar, sepse luftuan deri në fund dhe u shpërblyen me fitore. Jam i kënaqur, sepse dy fitoret e fundit po na kthejnë te pretendimet tona.”

Mojash Radonjiç, trajner i Vllaznisë: “Jam i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi deri në fundin e saj, por jo nga rezultati i arritur. Goli që shënoi Shkumbini erdhi nga një vendosje jo e mirë e mbrojtësve. Në këtë ndeshje kemi vuajtur shumë nga dëmtimet që pësuam në ndeshjen e kupës me ekipin e Pukës. S’na mbetet gjë tjetër, veçse të shohim para dhe të mos demoralizohemi, por t’u kthehemi fitoreve.”

Të veçanta
– Në tribunën “VIP”, krahas presidentit të Shkumbinit, Ylli Ndroqi, ishte edhe ai i Vllaznisë, Valter Fushaj.
– Për shkak të orës së papërshtatshme, në fillim ishin pak spektatorë të pranishëm në stadium, por pas 15 minutash numri i tyre u shtua shumë.
– Presidenti Ndroqi pas ndeshjes ka shkuar te dhomat e zhveshjes për të uruar lojtarët për fitoren me Vllazninë, duke u dhënë sihariqin që futbollistëve u hiqen gjobat e vëna.
– Mungonte përsëri salla e konferencave për shtyp.

Ali hallulli, Sporti Shqiptar

Leave a Comment

%d bloggers like this: