10 ligjet më absurde në botë

ligje te cuditshme ne boteLigjet, e thënë thjesht, janë rregulla të formës së shkruar ose jo, që kanë fuqi dhe legjitimitet zbatimi në një shtet. Ato mbrojnë qytetarët dhe thyerja e tyre dënohet dhe ndëshkohet, duke bërë të mundur stabilitetin e vendit dhe ndalojnë kthimin e tij në anarki. Megjithatë, ka ligje që janë vërtet qesharake, të çuditshme dhe absurde. “Tirana Obsever” rendit 10 raste të tilla nga 10 vende të ndryshme të botës.

1. Ndalohet vdekja në parlament

Mbretëria e Bashkuar

Britania e Madhe është e njohur për ligjet dhe taksat qesharake qindravjeçare. Sekretari Jack Straw ka luftuar fort që disa ligje absurde të shfuqizohen dhe një nga prioritetet e tij ishte ligji, sipas të cilit është e paligjshme të vdesësh në parlament. Ky ligj u kritikua ndërkombëtarisht. Aspekti i tij qesharak qëndron edhe në faktin se është e pamundur të ndëshkohet ai që vdes për shkeljen e kryer. Sikur dikush të pësonte një atak zemre në parlament, fillimisht ai duhej të nxirrej jashtë godinës dhe pastaj t’i nënshtrohej ndërhyrjeve përkatëse. Për fat të mirë, ky ligj nuk është më në fuqi.

2. Ligji për martesën e nderit

Japoni

Ndonëse ky ligj nuk është qesharak, si ligjet e tjera të listës, mund të konsiderohet i çuditshëm nga shumica e lexuesve, pasi lidhet me respektin dhe nderin e lartë që japonezët u njohin familjeve të tyre. Sipas këtij ligji, vëllai i madh mund të kërkojë dorën e të dashurës së vëllait më të vogël dhe nëse të dy janë dakord mund të martohet me të. Ligje të ngjashme vihen re edhe në vende të tjera aziatike, çka dëshmon se aziatikët vazhdojnë të ruajnë traditën e respektimit të më të mëdhenjve.

3. Ndalohet që vajzat të veshin pantallona

Svaziland

Svazilandi listohet si një nga vendet më të varfra të botës. Jetëgjatësia mesatare e banorëve të Svazilandit është 30-35 vjeç. Vendi qeveriset nga një pushtet i korruptuar dhe tiranik. Aktualisht, Mbreti Mswati III ka kaluar një sërë ligjesh të çuditshme në përpjekje për të rivendosur “vlerat tradicionale”, sipas të cilave, gratë janë të pabarabarta dhe konsiderohen inferiore kundrejt burrave. Grave u ndalohet të veshin pantallona të ngjashme me ato të burrave dhe nëse ato shkelin këtë ligj, detyrohen t’i zhveshin nga ushtarët me forcë dhe në mënyrë poshtëruese.

4. Ndalohet prekja e hundës gjatë meshës të së dielës

Izrael

Shteti i Izraelit, i formuar pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, si një vend ku hebrenjtë do të mund të banonin pa u persekutuar dhe ndjekur nga askush, është ndërkombëtarisht i njohur për ligjet e veçanta që ka. Një prej tyre është ndalimi për të prekur hundën gjatë meshës të së dielës. Rabini është i lejuar, e drejtë që ushtrohet shpesh prej tij, të ndalojë njerëzit që prekin hundën gjatë meshës të së dielës. Ky ndalim nuk lidhet vetëm me mungesën e hijeshisë që mbart gjesti në fjalë, por edhe sepse besohet se gjakderdhja e mundshme që shkaktohet nga humbja e qimeve të hundës mund të rezultojë në dhunim të kodit të shenjtë fetar. Ligjit i nënshtrohen vetëm besimtarët hebrenj, ndërsa përjashtohen nga rregulli laikët.

5. Prindërit mund të kenë vetëm një fëmijë

Kinë

Ky është ndoshta ligji më i njohur i listës për shkak të mediatizimit të madh të tij. Ligji ka hyrë në fuqi në vitin 1987, me qëllim ngadalësimin dhe uljen e popullsisë së Kinës, e cila është më shumë se 1.3 miliardë. Sipas ligjit, çiftet që kanë më shumë se një fëmijë, detyrohen të paguajnë taksa të larta. Ligji ka shkaktuar debate të shumta. Mbështetësit e tij thonë se falë kësaj mase, do të rregullohet problemi i mbipopullsisë, jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Ata që e kundërshtojnë ligjin nga ana tjetër thonë se kjo masë, që kufizon aftësinë e çifteve për të pasur më pak fëmijë nga sa do të donin të kishin, është moralisht e gabuar. Përveç kësaj, sipas tyre, ligji ka sjellë shtim të numrit të aborteve, pasi prindërit janë të prirur të dëshirojnë pasardhës meshkuj. Shumë grupe kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit, por deri tani ai vazhdon të jetë në fuqi.

6. Ndalimi i lojërave elektronike

Greqi

Ky ligj kaloi më 3 shtator të vitit 2002. Fillimisht u ndaluan vetëm lojërat në internet-kafe, si një mënyrë për të luftuar kumarin ilegal, por më 8 dhjetor 2003, ligji u rishikua dhe ndaloi të gjithë lojërat elektronike. Sipas hartuesve të ligjeve, ky ndryshim u bë pasi do të ishte shumë e vështirë të dallohej se cilat ishin lojërat e kumarit ilegal dhe cilat lojëra ishin të padëmshme, si për shembull shahu online. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krijuar grupe si ‘Nënat kundër lojërave kompjuterike’, të cilat kanë për qëllim ndalimin e tyre edhe në SHBA, pasi, sipas tyre, lojërat moderne rrisin paqëndrueshmërinë, dhunën dhe krimin.

7. Asnjë derr nuk duhet të ketë emrin Napoleon

Francë

Asnjë derr nuk mund të ketë emrin e gjeneralit të madh dhe Perandorit francez Napoleon Bonaparte, përgjegjës për pushtimin e pjesës më të madhe të Europës gjatë luftërave të Napoleonit (1799-1815). Francezët kanë pasur respekt të lartë për të dhe mendohet se fillesa e konceptimit të këtij ligji vjen nga derri që përfaqëson Stalinin dhe që quhet Napoleon në librin e famshëm të George Orwell-it, “Ferma e kafshëve”. Kjo lidhet më shumë me faktin që Napoleoni paraqitet si Stalini, se sa me atë që është emri i një derri. Sot, shumica e njerëzve e konsiderojnë ligjin si shaka dhe thuajse askush nuk e respekton, megjithatë ligji vazhdon të jetë në fuqi.

8. Jastëkët konsiderohen si “armë pasive”

Gjermani

Nëse do të sulmoheshit nga një hajdut, do të kishit më shumë frikë nga një thikë apo nga një jastëk? Nuk duket se pyetja është e vështirë. Megjithatë, në Gjermani, jastëkët konsiderohen si “armë pasive”. Ndoshta kur janë të mbushur me gurë? Në çdo rast, ndoshta jastëku nuk është një mjet vetëmbrojtës dhe aq efektiv.

9. Ndalohet çiftimi i kafshëve në mjediset publike

Kaliforni, SHBA

Në Kaliforni ndalohet që kafshët të çiftohen në mjedise publike: tavernë, shkollë apo kishë. Është e paqartë pse çiftimi i kafshëve duhet të përbëjë një shqetësim për qytetarët e vendit. Për më tepër, zbatueshmëria e ligjit në fjalë është e dyshimtë. Si mund të kontrollohet në çdo kohë e në çdo vend çiftimi i kafshëve?

10. Ndalimi i qarkullimit të makinave, në varësi të targave

Filipine

Ky ligj është interesant, sepse është specifik në mënyrë absurde. Sipas tij, ndalohet qarkullimi i makinave, targa e të cilave mbaron me shifrën 1 ose 2, ditën e hënë, i atyre, targa e të cilave përfundon me 3 dhe 4 nuk mund të qarkullojnë të martën e kështu me radhë. Nuk dihet se cili është synimi i ligjit dhe as se si zbatueshmëria e tij mund të kontrollohet.

Leave a Comment

%d bloggers like this: